Futboll

Duka: Qeveria nuk na përgjigjet, mund ta bëjmë si Franca

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në TV Klan, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh se futbolli shqiptar është gati për tw rinisur, por nuk ka marrë asnjë përgjigje qoftë nga qeveria apo Ministria e Shëndetësisë rreth mundësisë së vazhdimit të kampionatit të futbollit.

Duka shprehet se federata kishte hartuar një program për të rinisur përgatitjet për kampionatin në datën 2 maj dhe më pas ndeshjet të fillonin në 20 maj, por mungesa e komunikimit me qeverinë, e ka bërë të pamundur hartimin e një plani për sportin. Presidenti shpjegoi se nëse kampionati nuk përfundon, atëherë vlen renditja e para ndërprerjes dhe titulli i shkon vendit të parë.

Tifozët në stadium: Shumë shtete kanë nisur që të bashkëjetojnë me virusin, kanë filluar të mendojnë sesi të ndërtojnë banderola dhe të prodhojnë në mënyrë artificiale koret e tifozëve. Rëndësi të kthehemi të luajmë njëherë në stadium.

Komunikimi me qeverinë: Jam përpjekur në këtë mënyrë por nuk kam marrë përgjigje të saktë. Funksionimi në këtë vend zyrtarisht është i vështirë dhe më vjen keq që ne detyrohemi të marrim lajmet nga Facebook, gazetat dhe emisionet. Nuk kemi një protokoll zyrtar. Ne jemi detyruar të komunikojmë me qeverinë nëpër media, pasi nuk na përgjigjen në mënyrë zyrtare. Futbolli nuk është njëlloj si dyqani, që do të hapet në ditën e hënë dhe të bëjmë gati çelësat. Ne duhet të përgatitemi dhe futbollistët duhet të nisin stërvitjen. Duhet të nisim që të stërvitemi me grupe, pastaj me ekip të plotë dhe pastaj për ndeshjet. Kjo kërkon përgjigje dhe Ministria e Shëndetësisë nuk mund të thotë që nuk e kemi prioritet, por duhet ta dijë që sporti mund të ndihmojë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për qytetarë të shëndetshëm. Ka shumë njerëz që jetojnë nga sporti nuk e kanë vetëm pasion, por dhe profesion. Nuk mund të mbijetojnë me pagat e ndihmës së FSHF-së.

Rikthimi: Ne kemi bërë disa opsione kur mund të rikthehemi. Propozimi ka qenë të fillojmë me stërvitje 2 maj dhe të fillojmë kampionatin më 20 maj. Por, duhet të dihet saktësisht dhe le ta bëjmë si Franca më pas. Ministrja ka thënë se nuk e kemi menduar, por kemi një urdhër nga UEFA dhe FIFA për të përfunduar garat në fund të korrikut. Ne nuk kemi një përgjigje të saktë, bëjmë programe dhe i anulojnë ata. Nëse nuk rinisim, gara do të fotografohet siç ka qenë para se të mbyllej kampionati. Do kemi ekip kampion këtë vit dhe ekipi parë fiton kampionatin, në vend të parë është Tirana, më pas Kukësi e Laçi në Evropë. Më pas edhe për vendet e fundit, e njëjta situatë.

Ndihma financiare: Ne kemi pas një lloj rialokimi të projekteve nga FIFA dhe UEFA, një lloj liberalizimi të kushteve të përdorimit të fondeve për të përballuar vështirësitë që jemi në këto momente. Ne kemi bërë një paketë financiare për ata që futbollin e kanë profesion dhe ne kemi bërë dy muaj paga.

Në fund të intervistës, ai foli edhe për humbjet në futbollin botëror, ku bëhet fjalë për shifra marramendëse Duka u shpreh se e gjitha kjo është një kaos botëror, gjithsesi është programuar  vazhdimi dhe përfundimi i Ligës së Kampioneve në muajin gusht si dhe janë programuar dhe përfundimi i kampionateve evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë