UEFA ka vendosur të ndajë 236,5 milionë euro të destinuara për 55 federatat anëtare për ti ndihmuar të përballojnë krizën e diktuar nga pandemia e Covid-19. Fondi vjen nga programi i asistencës HatTrick, lindur në 2004 me objektiv të mbështesë zhvillimin e disa zonave specifike të sektorit futbollistik në nivel lokal. Në këtë rast, çdo anëtar mund të përdorë kuotën e tij në mënyrën që do ta shohë më të nevojshme, pa asnjë kusht, mbi bazën e nevojave.
Duke folur në lidhje me këtë vendim të marrë, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin u shpreh: “Futbolli po përballet me një ndryshim të paprecedentë i cili ka ardhur nga kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19. UEFA dëshiron t’i ndihmojë anëtarët e saj që të përgjigjen në mënyra të cilat janë të përshtatshme në rrethanat e tyre specifike. Si rezultat, ne kemi rënë dakord që deri në 4.3 milionë euro për secilën federatë, për pjesën e mbetur të këtij edicioni, si edhe për sezonin e ardhshëm. Fonde të cilat mund të përdoren nga anëtarët tanë si ta shohin të përshtatshme në rimëkëmbjen e situatës aktuale të futbollit. Unë besoj se ky është një vendim i përgjegjshëm për të ndihmuar aq sa ne kemi mundësi. Unë jam krenar për bashkimin që futbolli po tregon përgjatë kësaj krize. Pa dyshim, futbolli do të jetë në zemër të jetës kur të rikthehemi në normalitet. Kur koha të vijë, futbolli duhet të jetë gati.”
Në këtë mënyrë FSHF dhe klubet shqiptare do të përfitojnë plot 4.3 milion euro, dhe këto fonde mund ti përdorin që të përballojë çdo krizë të mundshme financiare për futbollistët shqiptarë si pasojë e koronavirusit. Një shifër e rëndësishme që do të përbënte më shumë se 10-fishin e shifrës të paketës që FSHF shpërndau për futbollistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




