Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia mbetën të vrarë sot në zonën pranë Tregut të Makinave në Durrës, teksa udhëtonin me automjetin e tyre. Ata besohet se janë ekzekutuar në lëvizje e sipër brenda automjetit të tyre tip “Volkswagen”. Vëllezërit 35 dhe 37-vjeç mësohet se janë nga Puka dhe banues në Spitallë të Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 16:40 te Tregu i Makinave në Shenavlash, te zona e Nishtullës, sapo dy vëllezërit kanë dalë nga puna për t’u larguar.
Viktimat mësohet se janë pronarë të disa bizneseve. Ndërsa njëri prej tyre, Viktor Haxhia disponon edhe licensën e ushtrimit të aktivitetit si avokat. Policia beson se atyre u është bërë pritë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët sipas dëshmive të banorëve përreth, kanë qëlluar me armë pistoletë dhe atomatik ndaj dy viktimave, duke i ekzekutuar brenda makinës së tyre.
Veç forcave të shumta të policisë, pasi është raportuar ngjarja e rëndë, edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka shkuar në vendngjarje. Policia e Shtetit dhe Forcat Speciale kanë ngritur disa postblloqe në hyrje daljet e të gjithë qytetit të Durrësit, në kërkim të atentatotërëve.
Në njoftimin paraprak të policisë së Durrësit, thuhet se “është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor i përbërë me Specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.