Futboll

Flet Ronaldinho: “Autografe edhe në burg, dua të puth nënën time”

Diçka më tepër se një muaj nga arrestimi me akuzën se u fut në Paraguai me një pasaportë false, Ronaldinho flet për herë të parë me shtypin nga burgu i tij i ’’artë’’ në hotel Palmaroga të Asuncion, ku po e kryen arrestin shtëpiak, që nga 7 prilli i kaluar bashkë me të vëllain, dhe rrëfen gjithë eksperiencën e tij me ligjin dhe ditët e kaluar në burg: “Kam besim, lutem gjithnjë që gjërat të shkojnë mirë dhe shpresoj që kjo të mbarojë shpejt”.

Për sa i përket arrestimit, ish-Topi i Artë ka deklaruar se nuk e kishte idenë që pasaportat ishin false: “Mbetëm krejtësisht të çuditur kur zbuluam se dokumentet ishin të paligjshëm. Nga ai moment qëllimi ynë ishte të bashkëpunonim me sistemin gjyqësor për të sqaruar faktet. Nga ai moment dhe deri më sot kemi sqaruar gjithçka dhe jemi përgjigjur për atë që na është kërkuar.”

 “Të zbuloja se do shkoja në burg më goditi rëndë – shtoi Dinho, duke folur me tre gazetarët e të përditshmes paraguaiane ABC Color – kurrë nuk e imagjinoja të gjendesha në një situatë si kjo. Gjatë gjithë jetës time jam përpjekur gjithmonë të arrij nivelin më të lartë profesional, duke sjellë gëzim te njerëzit me futbollin tim”. Një pasion dhe dëshirë që e tregoi edhe në burg me të burgosurit e tjerë: “Të luash futboll, të firmosësh autografe dhe të bëj foto është pjesë e jetës sime. Nuk kisha arsye të mos ta bëja edhe aty, sidomos me ata që po kalojnë një moment të vështirë si unë”.

Në fund një vështrim për të ardhmen: “Kam ndjerë ngrohtësinë, përzemërsinë dhe respektin e të gjithë paraguaianëve, që nga dita e parë që mbërrita në këtë vend dhe deri më sot. Iu jam mirënjohës për këtë. Kam besimin tim, lutem që kjo të përfundojë së shpejti. Gjëja e parë që do të bëj, sapo të dal që këtu, është të puth nënën time, që ka jetuar ditë të vështira nga fillimi i pandemisë. Më pas dua të provoj ndikimin e kësaj situate, duke ecur përpara me besim dhe forcë”, ka thënë braziliani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë