Futboll

Erjon Bogdani “zbërthen” Kumbullën dhe Manajn për faqen e Interit

Në një intervistë për “Fcinter1908”, ish-sulmuesi i Shqipërisë, Erjon Bogdani, mjaft i njohur në Itali, ku ka luajtur për shumë skuadra, si Rexhina, Salernitana, Verona, Siena, Kievo, Livorno dhe Çezena, ka folur në veçanti për Marash Kumbullën, mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, të kërkuar nga zikaltrit, por edhe për Manajn. Bogdani ka drejtuar edhe Kombëtaren U-19 të Shqipërisë.

“Sinqerisht, nuk e prisja që Kumbulla të kishte një ecuri kaq të mirë në Serinë A. Është e gjitha meritë e tij, ka treguar se është një futbollist i rëndësishëm në këtë nivel. Është normale që pas ndeshjeve që ka zhvilluar, të ndiqet nga klubet e mëdha. Është një djalë i ri, i datëlindjes 2000, dhe mund të rritet më shumë në të ardhmen. Sipas meje, Marashi është një markues shumë i mirë dhe gjuan shumë mirë me kokë. Në disa miqësore me Kombëtaren U-19 ka shënuar.

Kumbulla në stërvitje. Gazeta Si, 27 prill 2020

Ajo që më ka mahnitur është se po luan në Serinë A si një veteran. Duke qenë i gjatë, mund të mendosh se nuk ka shpejtësinë që duhet për kundërshtarë të shpejtë, por ai është në gjendje ta ndjekë mirë aksionin dhe të shkojë në vend para të tjerëve. Të mos harrojmë se po flasim për një djalosh të 2000-ës. Këtë sezon ka luajtur shumë mirë te Verona dhe mosha e re e bën atë shumë të kërkuar. Për atë që ka bërë, e meriton një skuadër të madhe.

Manaj? Një lojtar me kualitet dhe talent, luan mirë edhe në Kombëtare, por mënyra e sjelljes nuk e ka ndihmuar. Është ende i ri. I ka munguar vazhdimësia, por jo talenti dhe forca. Mund të bëjë shumë më mirë në të ardhmen. Të tjerë talente nga Shqipëria? Do të veçoja Erald Laktin e të rinjve të Fiorentinës, është një lojtar me të ardhme”, – ka thënë Bogdani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë