Kur do të rikthehet futbolli, ai i sigurti në Shqipëri? Tifozët pyesin vazhdimisht për këtë çështje, edhe pse emergjenca shëndetësore ende nuk ka kaluar. Koronavirusi ka ndalur sezonin 2019-2020 në pjesën më të bukur të tij, duke krijuar kaos dhe mungesë financash. Një tjetër temë që është me interes përpos rikthimit të futbollit, është kur mund të luhen ndeshjet me tifozë. Pikërisht për këtë çështje ka folur edhe drejtori i Urgjencës Mjekësore Kombëtare, doktor Skënder Brataj në një intervistë për Top-Channel.
“Pa tifozë është diçka e trishtë, por kjo situatë është përkohshme dhe nuk do të jetë gjithmonë kështu. Nuk është sëmundja apo pandemia e parë që i ndodh shoqërisë botërore, janë periudha kalimtare dhe ne do të përshtatemi dhe të bashkëjetojmë me virusin, por nuk e dimë saktësisht se kur. Është një proces dinamik, është i lidhur me numrin e të infektuarve. Shqipëria po e menaxhon shumë mirë, numrat janë inkurajues. Vendimet do merren pas 2 javësh, sa efekt do japin masat”, tha Brataj.
Bashkëpunimi me FSHF– “Unë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them që në klasifikim e gjërave, e para është shëndeti dhe nuk ka gjë që nuk bëhet nëse ka vullnet dhe respektohen rregullat. Institucionet pikë së pari duhet të flasin me njëra-tjetrën, e dyta duhet bërë një akt marrëveshje dhe e treta duhet të bëhet një protokoll për ndeshjen. Këta persona që do të marrin pjesë duhet të jenë me 100% të sigurt në aspektin shëndetësor, pasi nuk mund të lësh asnjë pikë dyshimi që e ka apo jo. Gjermania e ka vendosur, por nuk e di sa do të realizohet, pasi është një proces dinamik. Problemi është sa ka mbërritur imunizimi i popullsisë. Stërvitjet mund të bëhen pasi mund të ruhen distancat, duhet të jenë shumë pak persona, vetëm stafi. Ndeshjet pa spektatorë mund të bëhen, por duhen respektuar shumë rregulla. Është proces dinamik dhe ne do ta shohim këto dy javë pasi kemi liberalizuar lëvizjen”, u shpreh Brataj.
Tifozët në stadium? – “Si një profesionist mund të them që një infeksion zgjat nga 100-150 ditë. Po ta marrim që Kina në 31 dhjetor pati rastin e parë, këtu te ne i bie që nga vera të jetë plotësuar koha 5 mujore e qarkullimit të virusit. Mendoj dhe që shpresoj që nga fundi i vitit të kemi mundësi të kemi tifozë në stadium”, u shpreh drejtori i Urgjencës Mjekësore Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




