Futboll

Shitja e Newcastle te arabët, Amnesty International kërkon hetim

Amnesty International i ka drejtuar një letër Premier League duke i bërë të qartre se “rrezikon të kthehet në një kampionat të pavlerë ” nëse  nuk heton të dhënat lidhur me të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite përsa i përket procesit të blerjes së Newcastle. Klubi në veri-lindje të Londrës raportohet se është në prag të shitjes tek një konsorcium të mbështetur nga Arabia Saudite, që përfshin Princin e Kurorës, Mohamed bin Salman, për një vlerë rreth 300 milion Paund.

Raportohet se të martën, konsorciumi i ka paguar pronarit aktual të klubit, Mike Ashley, një depozitë të pakthyeshme prej 17 milion Paund si pjesë e marrëveshjes. Premier League pritet të vendosë nëse pronarët e rinj i plotësojnë kriteret, dhe Amnesty International këmbëngul se nëse Premier League nuk arrin të arsyetojë plotësisht vendimin e saj për aprovuar blerjen e klubit nga konsorciumi i mbështetur nga Arabia Saudite, atëherë ky vendim , do të dëmtojë reputacionin e saj.

Në një letër që mban firmën e drejtorit të Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar, Kate Allen drejtuar CEO të Premier League, Richard Masters, thuhet se: “Për sa kohë që këto pyetje (lidhur me të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite) mbeten të pa adresuara, Premier League rrezikon të kthehet në një kampionat të pavlerë nga personat që dëshirojnë të përdorin shkëlqimin dhe prestigjin e futbollit të Premier League për të mbuluar veprime që janë thellësisht të pamoralshme, dhe që janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe në kundërshtim me vlerat e Premier League dhe komunitetit botëror të futbollit. “

Arabia Saudite është kritikuar shumë lidhur me të drejtat e njeriut brenda vendit, me Amnesty International që vë në dukje  burgosjen dhe torturimin e kritikëve të qeverisë dhe ekzekutimin e të tjerëve pas gjyqeve të padrejta. Në një deklaratë të veçantë për letrën dërguar drejtuesve, Allen thekson: “Kriza e koronavirusit tashmë e ka vënë në qendër të vëmendjes futbollin dhe nevojën e saj për të trajtuar lojtarët dhe stafin në mënyrë të drejtë, dhe tani ekziston rreziku që pandemia të mund të errësojë nevojën për një vendim të matur, gjakftohtë dhe etik për marrëveshjen e blerjes së Newcastle. Të gjitha bizneset duhet të mbrohen nga çdo lidhje e mundshme me shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe futbolli anglez nuk përbën përjashtim. Ky është më shumë sesa një transaksion financiar – është një tentativë për të pastruar imazhin që kërkon të përfitojë nga prestigji i Premier League dhe pasioni i tifozëve të Newcastle United. Pavarësisht nëse kjo marrëveshje përparon, apo jo, ne u bëjmë thirrje stafit dhe tifozëve të Newcastle United që të familjarizohen me situatën e rëndë të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe të jenë të përgatitur të flasin për këtë. Së paku, Premier League duhet të bëjë një deklaratë të qartë se si është aplikuar hetimi për  pronarët dhe drejtuesit në këtë rast, dhe çfarë vlerësimi është bërë për informacionin lidhur me të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite nën udhëheqjen e Mohammad bin Salman.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë