Futboll

Kundërshtojnë nisjen e kampionatit, por nuk heqin dorë nga pagat

Futbollistët francezë heqin dorë nga rifillimi i kampionatit. Kjo është pohuar nga Sylvain Kastendeuch, bashkë-president i Unionit të futbollistëve profesionistë francezë (UNFP) përmes një interviste për Le Monde. “Emergjenca ekonomike nuk duhet të ketë përparësi ndaj shëndetit publik – thotë ai -. Të heqim dorë nga rifillimi i kampionatit që, në këto kushte, do të ishte i nxituar dhe i rrezikshëm”.

“Të përgatisim kushtet për një sezon të ardhshëm të suksesshëm dhe ekzemplar në futbollin që e duam kaq shumë. Për ti lejuar talenteve tona të vazhdojnë të shkëlqejnë, më duket mëse e arsyeshme, më e drejtë dhe më e virtytshme të bëjmë sot zgjedhjen e arsyes, në mënyrë që nesër të mund të bëjmë përsëri zgjedhjen e zemrës”.

Kastendeuch frikësohet se kushtet shëndetësore dhe të sigurisë për të mbrojtur lojtarët nuk janë përmbushur, ndërsa Liga franceze (LFP) shpreson të përfundojë deri në fundit të korrikut sezonin 2019-2020 të Ligue 1 e Ligue 2, të pezulluara për shkak të Covid-19. Në diskutim është mbijetesa ekonomike e klubeve profesioniste, të privuara pjesërisht nga një pjesë e të ardhurave që rrjedhin nga të drejtat televizive, aktualisht të pezulluara nga platformat televizivë beIN Sports e Canal+. Nëse futbolli do të rinisë këtë verë në Francë, me shumë mundësi me dyer të mbyllura, vetëm katër kampionate do ishin të interesuara: L1 e L2 të administruara nga LFP, ashtu si N1 (divizioni i 3) e liga e parë e femrave, mbikqyrur nga Federata franceze. Për të gjithë turnetë e tjerë është caktuar mbyllja.

Në Ligue 1 ekziston edhe një tjetër problem që i takon lojtarëve dhe klubeve në lidhje me pagat. PSG, Lyon, Marseille dhe Monaco në fakt duan të realizojnë një shkurtim më të madh të pagave të lojtarëve, që kundërshtojnë fort. Klubet e Ligue 1 po kursejnë për shkak të lehtësirave fiskale dhe kontributeve vullnetare, me sistemin e papunësisë teknike që u ka lejuar të shkurtojnë 80% pagat e punonjësve, duke marrë edhe ndihmë shtetërore. Klubet kërkojnë një ulje të mëtejshme prej 30% të pagave bruto të lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë