Futboll

Futbolli anglez rrezikon të humbasë klube e kampionate

Emergjenca koronavirus mund të gjunjëzojë atdheun e futbollit. Është ky alarmi i dhënë nga Greg Clarke, presidenti i Football Association (Federata Angleze e Futbollit) sipas të cilit futbolli anglez mund të përballet me rrezikun e humbjes së ekipeve dhe kampionateve për shkak të një krize ekonomike përtej imagjinatës më të shfrenuar. Shumë komunitete mund të humbasin klubet e zemrës që nuk kanë mundësi financiare.

“Përballë këtij kundërshtari të pa precedentë, të gjithë palët e interesuar, lojtarë, tifozë, klube, pronarë dhe administratorë, duhet të intensifikojnë dhe bashkojnë përpjekjet për të mbajtur lojën në jetë. Është koha që palët të bien dakord për një çështje të përbashkët për të shpëtuar lojën tonë. Futbolli është një lojë skuadre e tani është momenti të veprojmë si skuadër”- tha Clarke gjatë mbledhjes së Këshillit Federal.

Në lidhje me rinisjen e kampionateve, siguritë janë ende larg dhe në këtë pikë është më mirë të jesh realist. “Jemi të përkushtuar për të mbyllur sezonin profesionist, por mund të mos jemi në gjendje ta bëjmë – ka shtuar Clarke -. Futbolli nuk është prioriteti ynë, është jeta njerëzore dhe prandaj do të bëjmë atë që thotë qeveria”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë