Nuk ka paqe për Barcelonën. Një histori që po merr formën e një telenovele. Pothuajse çdo ditë në Camp Nou ka një problem, përplasje, sherr, mosmarrëveshje. Siç raporton e përditshmja katalanase La Vanguardia, janë dorëhequr 6 persona nga bordi drejtues i klubit të kryesuar nga Josep Maria Bartomeu. Bordi mbahet ende në këmbë, por situata bëhet çdo ditë më e vështirë. Gjashtë disidentët kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, për momentin të parashikuara në 2021, në të cilat Bartomeu nuk mund të marrë pjesë, pasi i ka ezauruar tre mandatet.
Janë dorëhequr dy zëvendëspresidentët, Emili Rousaud e Enrique Tombas, e katër drejtues, Silvio Elias, Maria Teixidor, Josep Pont e Jordi Calsamiglia. I pari është një emër kyç: në janar Rousaud u zgjodh si zëvendërpresident, detyrë vakante nga tetori 2017, nga Bartomeu. Nga një njeri i besuar, tashmë të dy janë në luftë të hapur. Rousaud, i intervistuar nga radio Katalanase Rac1 ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Bartomeut: “Jam i sigurtë se dikush ka vënë duart tek arka”.

Të gjashtë kanë shkruar një letër në të cilën sqarojnë se nuk mund të qëndrojnë për dy arsye kryesore: mosmarrëveshje në administrimin e klubit dhe zhgënjim për mënyrën si u menaxhua Barçagate, skandali i profileve sociale të paguar (1,2 milionë euro) nga Barça për të hedhur baltë mbi persona të ndryshëm, përfshirë Messi. Barcelona ka kontraktuar PWC për një hetim, rezultatet e të cilit po vonojnë dhe personi i vetëm i pezulluar për skandalin, Jaume Masferrer, njeri shumë i afërt me Bartomeu, jo vetëm që vazhdon të paguhet, por vazhdon ende të punojë.
Për të gjithë këto arsye, 6 anëtarët kanë kërkuar thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme që “lejojnë klubin të administrohet në mënyrën më të mirë përballë sfidave të rëndësishme në të ardhmen e afërt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




