Biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë-Qeverisë: Biznesi po fundoset, paguani punonjësit

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka kryer një anketë në mesin e bizneseve që sipas saj zënë 21 % të ekonomisë shqiptare për nevojat që ka sipërmarrja sot në kushtet e emrgjencës. Po ashtu referuar edhe një analize cilësore nga tre komitetet e saj të Taksave, Ligjore dhe e Investimeve, si dhe eksperincave nga rrjeti i 109 Dhomave Amerikane nëpër botë, ka hartuar një paketë me propozime drejtuar qeverisë që në thelb ka dhënien e pagesës së papunësisë së personave që janë aktualisht në shtëpi për shkak të situatës, pavarësisht madhësisë së biznesit dhe lehtësimin e vetë bizneseve duke iu siguruar likuiditet për të kapërcyer këtë situatë të rëndë.

“Një numër i madh biznesesh në të gjithë sektorët, iu është dashur të zvogëlojnë ose pezullojnë plotësisht aktivitetin e tyre në përputhje me urdhërat e reja të Qeverisë. Ata po përjetojnë një rënie të konsiderueshme të xhiros e të të ardhurave. Kjo rënie e të ardhurave po pengon shumë biznese të përmbushin detyrimet e tyre financiare, përfshirë më të rëndësishmen, pagimin e punonjësve të tyre. Disa nga këto biznese janë nga punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, duke punësuar qindra mijëra njerëz – me një impakt jetik për shoqërinë dhe ekonominë tonë.”- citon letra e hapur me me firmën e Presidentit të Dhomës Amerikane në Shqipëri Enio Jaço drejtuar qeverisë.

Dhoma i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë disa hapa të vështirë, sipas saj, por kritikë për të mbështetur të gjithë punëdhënësit në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

Për Dhomën Amerikane, mbështetja e punëdhënësve në këtë periudhë, ku disa prej tyre po planifikojnë riorganizime të fuqisë punëtore, është thelbësore për mbështetjen e punonjësve dhe jetike për këta individë, familjet e tyre dhe ekonominë tonë.

Dhoma i propozon Qeverisë të miratojë katër propozimet e mëposhtme:

Sigurohuni që të gjitha bizneset, pavarësisht nga madhësia të kenë mundësi aksesi në Fondet e Emergjencës COVID -19 në mënyrë që të vazhdojnë aktivitetin gjatë kësaj periudhe. Është e pamundur të theksojmë sa duhet rëndësinë e jashtëzakonshme të likuiditetit për bizneset në këtë kohë kritike, dhe spiralet e rrezikshme ekonomike që vijnë nga mungesa e tij. Pas njoftimit mbi masat në përdorimin e fondit të garancisë, është e rëndësishme që të jepen menjëherë në vijim detaje specifike mbi funksionalitetin e këtij fondi. Kreditë që do të garantohen nga ky fond duhet të akordohen me norma minimale ose Zero, duke marrë parasysh që fondi i garancisë ndihmon institucionet financiare që të ulin ndjeshëm rrezikun e tyre. Për më tepër, kompanitë, borxhi i të cilave përfshin shuma që i detyrohen Qeverisë, nuk duhet të marrin kredi për të përmbushur këto detyrime.

Qeveria duhet të pezullojë këto borxhe deri sa këto kompani të rifillojnë aktivitetin normal të biznesit. Për kompanitë që kanë TVSH të pakredituar, rimbursimi duhet të jetë i shpejtë dhe të shmangë procedurat e gjata dhe të ndërlikuara.

Siguroni përfitime të Pagesës së Papunësisë për të gjithë punonjësit e kualifikuar, pavarësisht nga madhësia e kompanisë që po i pushon ata. Paga e papunësisë ka për qëllim të ndihmojë individët, jo kompanitë. Si e tillë, përfitimet individuale nuk duhet të lidhen me madhësinë e punëdhënësit. Ne rekomandojmë që të gjithë punonjësit që vazhdojnë të kenë një raport me punëdhënësin e tyre, por aktualisht janë në shtëpi për shkak të mosfunksionimit të biznesit ose janë prekur rëndë prej tij, duhet të përfitojnë nga pagesa e papunësisë, pavarësisht nga madhësia e biznesit të punëdhënësit të tyre.

Shtyni parapagimin e taksave për vitin 2020. Taksat parapaguhen duke marrë parasysh të ardhurat e deklaruara gjatë së njëjtës periudhë një vit më parë. Por ky nuk eshte nje vit i zakonshem. Qeveria e ka pranuar dhe zbatuar kete qartësisht, duke shpallur një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe duke imponuar masa shumë të rrepta për popullin dhe bizneset shqiptare. Ne ju rekomandojmë të pezulloni të gjitha kërkesat e parapagimit të taksave dhe të miratoni një legjislacion që do t’i lejojë kompanitë të bëjnë pagesa të vonuara me këste. Për më tepër, ne rekomandojmë që taksat lokale, sigurimet Shoqërore dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale, të pezullohen të paktën për një periudhë dy mujore.

Ne nxisim Qeverinë që të konsultohet me palët e interesit përpara se të marrë vendime me pasoja të rëndësishme për bizneset. Çdo masë e marrë dhe e aprovuar në ligj, duhet të reflektojë nevojat e komunitetit të biznesit. Dhomat e Tregtisë në Shqipëri kane një pasuri informacioni dhe ruajnë pulsin mbi komunitetin e biznesit. Ne jemi të lumtur të asistojmë Qeverinë me informacione dhe ekspertizë, në mënyrë që të lehtësojë në këto kohë pasojat mbi komunitetin e biznesit, dhe për rrjedhojë, edhe mbi gjithë shoqërinë tonë.

Organizatat përfaqësuese të biznesit janë të domosdoshme gjatë kësaj krize dhe duhet të jenë pjesë e tryezes së diskutimit. Inputi i tyre do të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe qëndrueshmërinë e ligjeve që ju hartoni dhe njëkohësisht efikasitetin e masave në planin afatgjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë