Zgjatja e kontratave që skadojnë në fund të sezonit, ndërhyrja në rast të mungesës së akordeve të përbashkëta mbi pagesën e lojtarëve, fleksibilitet në merkato. Këto janë disa nga propozimet dhe udhëzimet që drejtuesit e FIFA kanë miratuar për të përballuar çështjet kryesore për botën e futbollit në mes të një krize të thellë për shkak të pandemisë. Është rezultat i punës së bërë nga një task-force me përfaqësues klubesh, lojtarësh, ligash, federatash kombëtare e konfederata. Kontratat e lojtarëve zakonisht skadojnë në fund të sezonit, por në këtë situatë Fifa propozon që ato të zgjaten deri kur sezoni të ketë përfunduar.
Përsa i përket çështjes së pagave, me aktivitetin e pezulluar “inkurajohen klubet e lojtarët të punojnë së bashku për të gjetur një marrëveshje”, por në rast dështimi, FIFA ka përcaktuar kritere për të arritur një zgjidhje “të drejtë dhe të ekuilibruar për të dyja palët”. Nëse lojtarët nuk arrijnë akord me klubet e tyre, FIFA do të bazohet në këto pesë kritere: 1) a ka pasur një tentativë për të gjetur akord mes klubit dhe lojtarëve 2) situata ekonomike e klubit 3) përshtatja e kontratës në proporcion 4) fitimi neto i futbollistëve pas çdo rinovimi 5) nëse futbollisti është trajtuar në mënyrë të barabartë ose jo.
Për merkaton, FIFA do të jetë fleksibël dhe do të lejojë që merkato të zgjasë nga fundi i këtij sezoni deri në fillimin e sezonit tjetër, duke u përpjekur të garantojë një nivel të përgjithshëm të koordinimit dhe të mbrojë rregullsinë e garave.
“Megjithëse këto propozime nuk i zgjidhin të gjitha problemet, ato duhet të shërbejnë për të garantuar një stabilitet dhe qartësi të caktuar për futbollin në të ardhmen e afërt – thotë presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino -. Shpresojmë që kjo përpjekje bashkëpunuese të mund të sigurojë një shembull pozitiv se si futbolli mund të bashkohet dhe të tregojë solidaritet dhe një frymë kompromisi për të përballuar kohërat e vështira që na presin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




