UEFA vendosi zyrtarisht të shtyjë Euro 2020 për në verën e 2021 (ndeshja inauguruese në Romë në 11 qershor e finalja në Londër në 11 korrik) për shkak të pandemisë koronavirus e pas aprovimit nga ana e Ekzekutivit, presidenti Aleksander Čeferin, ka shpjeguar me këto fjalë motivet e zgjedhjes së organit vendimmarrës të futbollit Evropian.
“Kemi komandën e një sporti me të cilin jeton një numër i madh i njerëzve dhe që është hedhur në tokë nga ky kundërshtar i padukshëm dhe me lëvizje të shpejtë. Pikërisht në këto momente komuniteti i futbollit duhet të tregojë përgjegjësi, unitet, solidaritet e altruizëm. Shëndeti i tifozëve, stafit e lojtarëve duhet të jetë prioriteti numër një. UEFA ka paraqitur një seri opsionesh në mënyrë që kompeticionet e ndryshme të mund të mbarojnë këtë sezon. Jam krenar për përgjigjen e kolegëve të mi. Kishte një frymë të vërtetë bashkëpunimi, të gjithë e kuptuan se duhet të sakrifikonim diçka për të marrë rezultatin më të mirë. Ishte e rëndësishme që, organi drejtues i futbollit evropian, UEFA të bënte sakrificën më të madhe. Spostimi i EURO 2020 ka një kosto të jashtëzakonshme për UEFA, por do të bëjmë të pamundurën që fondet themelore për futbollin, futbollin e femrave e zhvillimin e lojës në 55 vendet tona të mos preken. Futbolli është një forcë rregulluese dhe e fuqishme në shoqëri. Ideja për të zhvilluar një evropian me stadiume boshe, ndërsa Kontinenti mund të ishte në shtëpi dhe në izolim, nuk kishte kuptim dhe ne nuk mund të pranonim të festonim 60 vjetorin e kompeticionit në këtë mënyrë.
Dua të falënderoj shoqatën evropiane të klubeve, ligat evropiane e FIFPro Europa për punën e shkëlqyer të bërë e për bashkëpunimin e tyre. Do të doja të falënderoja 55 federatat kombëtare, presidentët e tyre e sekretarët e përgjithshëm, e kolegët e mi të Komitetit ekzekutiv për mbështetjen e tyre e vendimet e pjekura. Detajet do të studiohen në javët e ardhshme, por principet bazë janë arritur dhe ky është një hap i madh përpara. Treguam të gjithë se jemi lider të përgjegjshëm. Treguam solidaritet e unitet.
Do të doja të falënderoja FIFA dhe Presidentin e saj, Gianni Infantino, i cili u shpreh se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të bërë kalendarin e ri funksional. Përballë kësaj krize, futbolli ka treguar anën e tij më të mirë, solidaritetin dhe tolerancën ”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




