I gjithë kabineti i përkohshëm qeveritar rumun dhe stafi i ngushtë i tyre është vendosur në karantinë pas daljes pozitiv me koronavirus të një senatori të parlamentit vendas që kishte punuar ngushtë me pushtetin ekzekutiv në ditët e fundit.
Edhe vetë Kryeministri Ludovic Orban është vetëngujuar. Ai duhej të konsultohej këtë të premte me Presidenti Klaus Iohannis në përpjekjen e radhës për të formuar një qeveri dhe marrjen e votëbesimit në Parlament javën e ardhshme.
Por, zhvillimet e fundit shtynë për një tjetër kohë këto konsultime, ndërsa në karantinë njoftuan se do të hynin edhe drejtuesit e lartë të Partisë Liberale të Orbanit.
Ndërkohë, Bullgaria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme deri më 13 prill, pasi konfirmimit të 23 rasteve me koronavirus. Autoritetet vendase kanë këshilluar deri më tani qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme priten masa kufizuese të ngjashme me ato të ndërmarra nga vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




