Kryeministri Edi Rama iu rikthye rrjeteve sociale për të vënë theksin sërish tek rëndësia e shmangjes maksimum të lëvizjeve dhe vetëizolimit në shtëpi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Më herët, Rama publikoi masat e ashpërsuara të kufizimit të lëvizjeve, që do të hyjnë në zbatim nga mëngjesi i së premtes dhe do të jenë në fuqi përgjatë të gjithë fundjavës. Përveç ashpërsimit të masave u zgjerua edhe gjeografia e tyre, duke përfshirë edhe gjashtë qytete të tjera, si Elbasani, Lushnja, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Lezha.
Policia e Shtetit dhe Policia Ushtarake kanë shtuar kontrollet në postblloqet e ngritura. Në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës ndalohen të gjitha automjetet, si pjesë e vendimeve për të identifikuar persona që mund të jenë kthyer në 2 javët e fundit nga Italia, apo Greqia. Ngujimi i këtyre personave është i detyrueshëm dhe nëse shkelet ky urdhër, atëherë gjoba mund të shkojë deri në 5 mijë euro.
Ndërkohë, zyrtarisht numri i të infektuarve ka shkuar në 23. Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të enjte për 8 raste të reja, që përfshinin edhe Elbasanin me Rrogozhinën, dy qytete që ishin të paprekura deri më tani nga koronavirusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



