Lajme

SHBA, Garda Kombëtare del në Nju Jork, në një nga vatrat me koronavirus

Në Shtetet e Bashkuara, ku ka më shumë se 700 raste dhe 26 të vdekur nga koronavirusi, në disa zona ku virusi është përhapur, zyrtarët kanë ndaluar grumbullimet masive, ndërsa disa universitete të mëdha si Stanford, Universiteti i Uashingtonit dhe ai Shtetëror i Ohajos, po i zhvillojnë mësimet në internet. Nju Jorku ka numrin më të lartë të infektimeve me mbi 160 raste. Guvernatori Andrew Cuomo njoftoi të martën se po dërgon Gardën Kombëtare në një periferi të qytetit të Nju Jorkut për të frenuar njërën nga vatrat më të mëdha të virusit në SHBA.

Shkollat, objektet e kultit dhe vendet e mëdha të grumbullimit do të mbyllen për dy javë në Nju Roshelle, trupat e Gardës do të pastrojnë zona të caktuara dhe do të dërgojnë ushqime. Kjo zonë me rreze prej më pak se dy kilometra, përfshin një sinagogë që ka lidhje me disa nga rastet, tha guvernatori Cuomo. Përdorimi i Gardës shihet si një nga veprimet më dramatike të ndërmarra deri tani në vend për të kontrolluar koronavirusin.

Është një veprim dramatik, por është grupi më i madh i rasteve në vend,” tha Cuomo. “Shifrat janë duke u rritur pa ndalje dhe na duhet një strategji e veçantë e shëndetit publik,” tha ai. Në Nju Roshelle ka patur 108 raste nga 173 të identifikuara në të gjithë shtetin e Nju Jorkut. Qyteti i Nju Jorkut ka 36 raste, edhe pse popullsia e tij është mëse 100 herë më e madhe se ajo e qarkut Nju Roshelle. Në Okland të Kalifornisë, mijëra pasagjerë gjithnjë e më të shqetësuar në bordin e anijes turistike Grand Princess të goditur nga koronavirusi, pritën në radhë për të zbritur nga anija dhe për të shkuar në bazat ushtarake ose në shtëpitë e tyre për dy javë karantinë. “Pjesa më e vështirë ishte pritja. Dhe pastaj ndoshta fakti që do të duhet të jemi të izoluar për dy javë”, thotë një nga pasagjerët, Sean Boyle.

Katër anëtarë të Kongresit po vetëizolohen pasi kishin pasur kontakt në një konferencë të fundit politike me dikë që ka virusin. Shefi i ardhshëm i personelit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows mund të ketë pasur kontakt me të njëjtin person dhe po qëndron në karantinë deri të mërkurën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë