Policia e Korçës ka arrestuar një 37-vjeçar, pasi ushtronte aktivitetin e paligjshëm të piraterisë, duke fshehur edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij.
Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi me inicialet A. A dhe i ka sekuestruar 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, pajisje dhe karta abonimi të kompanive televizive.
Siç njofton policia, arrestimi i tij u bë pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, duke qenë i palicencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) si dhe duke shfrytëzuar piraterinë, kryente abonime për paketa të ndryshme televizive, kundrejt fitimit.
Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, nuk i kishte deklaruar pranë organeve tatimore duke kryer fshehje të ardhurash.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” si edhe në banesë, iu gjetën 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, një lap top, karta abonimi të disa kompanive televizive, si edhe module dekoderash të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



