Nga frika e koronavirusit, dy ndeshjet e Kategorisë Superiore Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, do të luhen pa tifozë. FSHF dhe qeveria kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të mbyllur ndeshjet e javës së 26 dhe më pas pritet të mësohet sesi do të procedohet me ndeshjet e dy javëve të ardhshme, pasi qeveria ka urdhëruar që ndalesa do të jetë deri më 3 prill.
Njoftimi:
“Njoftim nga Federata Shqiptare e Futbollit lidhur me aktivitetin futbollistik. Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e sotme për të vlerësuar situatën pas të urdhërit nr. 132, dt. 8/3/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me pezullimin e aktiviteteve sportive dhe sociale në vend.
Komiteti i Emergjencës vlerësoi se duke qenë se katër ekipet janë grumbulluar tashmë respektivisht në Shkodër (Vllaznia-Partizani) dhe Korçë (Skënderbeu – Kukësi), të vijojë me zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, me dyer të mbyllura.
Komiteti i Emergjencës në FSHF, i kërkon Këshillit të Ministrave një takim për të diskutuar në detaje lidhur me vijimësinë e aktiviteteve futbollistike në vend.’’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




