Presidenti Ilir Meta i ka dërguar të hënën një letër Presidentit të Republikës të Italisë, Sergio Mattarella, në të cilën shpreh solidaritetin e tij dhe të gjithë popullit shqiptar mbi situatën e krijuar së fundmi në vendin fqinj nga përhapja e virusit COVID-19, si dhe ngushëllimet për humbjet e jetëve nga ky virus.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, Meta mbështet masat e detyruara të marra me përgjegjësi të lartë shtetërore nga autoritetet Italiane dhe i vlerëson këto masa si mjaft të rëndësishme jo vetëm për Italinë por dhe për të gjithë rajonin.
Duke shprehur bindjen se përpjekjet e autoriteteve italiane për të izoluar këtë epidemi shpejt do të japin rezultate dhe do të kthejnë normalitetin në jetën e italianëve, Presidenti Meta nënvizon se angazhohet për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve shëndetësore të të dy vendeve në përballimin e kërcënimit të kësaj epidemie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




