Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me të prekur nga koronavirusi i ri. Tashmë Kosova dhe Mali i Zi mbeten të vetmet shtete në Ballkan dhe bashkë me Qipron, të vetmet në Europë pa u prekur nga koronavirusi.
Kosova
Kosova ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar dhe të gjithë udhëtarët nga zonat e infektuara janë të detyruara të raportojnë tek shërbimet epidemiologjike brenda 24 orëve pasi të hyjnë në vend. Ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë thirrje publike në drejtim të gjithë shtetasve të Kosovës që të kufizojnë lëvizjet dhe fluksin në zyrat dhe ambientet publike, duke qëndruar në shtëpi pranë familjeve. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka konfirmuar se janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet nga Italia dhe anasjelltas.
Greqia
Greqia është vendi ballkanik me përhapjen më të madhe të koronavirusit duke përbërë një kërcënim serioz për rajonin pas Italisë. 73 raste janë shënuar në Greqi teksa plot 51 erdhën nga një grup turistësh të cilët po ktheheshin nga një tur në Izrael dhe Egjipt.
Kroacia
Një i ri i kthyer nga Milano ishte rasti i parë i prekur nga Covid-19 në Kroaci. Ndërkohë, numri në total ka shkuar 13.
Maqedonia e Veriut
3 është numri i të prekurve në vendin fqinj, ku rastet e fundit ishin një çift nga Dibra. Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e të gjitha tubimeve dhe ngjarjeve të mëdha publike, si dhe zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë deri më 13 Mars. Ndërkohë janë anuluar të gjitha fluturimet që vijnë nga zonat e prekura me koronavirus në Itali.
Bosnjë e Hercegovinë
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, më saktësisht në territorin e Republikës Srpska, është shfaqur rasti i parë i infeksionit me koronavirus. Deri më tani, në Federatën e BeH janë shënuar 3 raste.
Në Rajonin e Ballkanit, vendet e tjera me raste të konfirmuara janë, Bullgaria me 4, Rumania me 15 dhe Serbia me 1.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




