Edoardo Reja mungoi në ceremoninë e hedhjes së shortit në Amsterdam, pasi iu anulua fluturimi nga Italia drejt Holandës. Një intervistë për “RTSH Sport”, italiani përveç shortit të Nations League, ka folur edhe për miqësoret e zyrtarizuara në axhendë për kuqezinjtë, ku dy “blerjet” e reja të këtyre miqësoreve pritet të jenë në sulm. Armando Broja dhe Florian Kamberi do të grumbullohen nga trajneri italian për t’u aktivizuar në këto ndeshje: “U zhgënjeva që nuk isha i pranishëm në hedhjen e shortit, por këtu ku jetoj unë, disa kompani ajrore i kanë bllokuar fluturimet. Do të kisha pasur shumë dëshirë të isha i pranishëm në Holandë. Kam qenë në kontakt me presidentin Duka. Duhet të jemi në formë optimale në muajin shtator, kur të nisim edhe t’i luajmë ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Duhet ta nisim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mos lëmë pas dore asnjë detaj. Janë që të gjitha transferta të vështira. Duhet theksuar se, përveç faktit që janë shumë larg, në dy prej tyre do të luajmë në fusha me bar sintetik. Duhet të jemi shumë të përgatitur, por mund të them që nuk është një short i keq, sepse flasim për rivalë që mund t’i përballojmë. Gjithsesi, më lejoni të theksoj se ndeshjet duhen luajtur në fushë e jo me fjalë e parashikime. Dy miqësoret e fundit të marsit? Do të provoj disa lojtarë të rinj. Do të jenë të pranishëm edhe Broja e Kamberi. I kam ndjekur shumë të dy gjatë kohëve të fundit. Dua të provoj lojtarë të rinj, sidomos të datëlindjes 1999-2000, por më duhet të pres edhe disa ndeshje, përpara se t’i grumbulloj. Kumbulla po zhvillon një kampionat shumë të rëndësishëm, por ka ende mundësi përmirësimi. E kam ndjekur edhe gjatë seancave stërvitore të Verona. Di që Kumbulla, ashtu si Rrahmani, ishte shumë pranë Napolit, por ai dëshiron të qëndrojë te Verona deri në fund të sezonit dhe më pas të studiojë të gjitha ofertat që do t’i vijnë. Me kombëtaren do të marrë minuta të plota në një prej ndeshjeve miqësore, por nuk mund të them ndaj Sllovenisë apo San Marinos”.

Shqipëria ka programuar për të luajtur dy ndeshje miqësore, kundër San Marinos dhe Sllovenisë. Kuqezinjtë do të përballen në Udine me Slloveninë me 30 mars, ndërsa miqësorja tjetër do të luhet me 27 mars, në San Marino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




