Lajme

Emërohet pasuesi i Artur Metanit dhe hiqen vizat me një tjetër shtet amerikano-latin

Enkelejda Muçaj është emëruar në krye të Avokaturës së Shtetit, duke zëvendësuar në këtë post Artur Metanin, që u zgjodh në Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure të Këshillit të Ministrave. Muçaj ushtron profesionin e juristes prej vitesh, ndërkohë që specializimi i saj lidhet me të drejtën e autorit dhe tregtinë, duke shërbyer edhe si këshilltare ligjore për Qeverinë shqiptare në negociatat e anëtarësimit për në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ndërkohë, po në këtë mbledhje Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen e lëvizjes së lirë, pa viza me Republikën e Guajanës, një shtet i vendosur në Amerikën Latine që kufizohet me Brazilin, Venezuelën, Surinamin dhe Guajanën Franceze.

Guajana u bashkohet listës së vendeve amerikano-latine me të cilat Shqipëria gëzon lëvizjen e lirë pa viza, mes të cilave edhe Kolumbia dhe Peruja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë