OFL u ka dërguar këtë të mërkurë kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë tre të dënuarve të tjerë, njëri prej tyre vrasës dhe dy të tjerët trafikantë.
Bëhet fjalë për Jani Aliajn nga Tepelena, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Jani Aliaj është i njohur edhe si vrasësi i Elton Çiços.
Po ashtu i është dërguar kërkesa Katan Bahos, banues në Gjirokastër, i cili është arrestuar nga autoritetet greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe Florenc Tresës, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim.
Sipas zëdhënëses së OFL-së, Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Ndër të tjera, zëdhënësja bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




