Lajme

Transportonin 26 refugjatë, 6 të arrestuar në Pogradec

Policia e Pogradecit ka goditur një tjetër veprimtari kriminale në dhënien ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Policia ka arrestuar 6 shtetas, të cilët po transportonin 26 shtetas të huaj. Katër prej të cilëve, gjatë ndjekjes, nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar dhe kryen manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi N. B., 40 vjeç dhe R. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u kapën pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut” në Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fugon tip “Volkswagen” e automjetin tip “Golf” 18 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Po gjatë operacionit u kapën dhe u arrestuan edhe P. M., 27 vjeç e E. P., 23 vjeç, banues në Durrës, M. C., 35 vjeç, banues në Pukë dhe M. Sh., 25 vjeçe, banuese në Linzë, Tiranë, të cilët po transportonin me dy mjete tip “Volkswagen Golf” dhe një mjet tip “Benz” në drejtim të Tiranës, 8 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Policia thotë se u kanë bërë me shenjë drejtuesve të mjeteve të ndalojnë, por ata nuk i janë bindur urdhrit të tyre dhe kanë vijuar duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë. Policia u është vënë në ndjekje dhe në hyrje të qytetit të Pogradecit janë ndaluar. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se shtetasja M. Sh. drejtonte njërin prej mjeteve tip “Volkswagen” pa leje drejtimi.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke iu premtuar atyre kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 300-350 euro secilit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 mjete dhe 6 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë