Lajme

Dy të vrarë nga atentati në Durrës, njëra nga viktimat subjekt i OFL-së

Dy persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e një atentati të kryer në qytetin e Durrësit rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të hënës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr.14 Nishtulla të Durrësit. Viktima janë Dorian Shkoza, 35-vjeç, person me precedentë penalë dhe i dënuar me 8 vjet burg për trafik lëndësh narkotike dhe Anxhelo Avdiaj.

Ndaj dy personave është qëlluar me breshëri automatiku nga një makinë në ecje. Forca të shumta policore mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që postblloqe të shumta dhe kontrolle nisën të kryheshin në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit të Durrësit.

Policia kishte identifikuar targën e automjetit, por rezultoi më vonë se targa ishte e vjedhur dhe pak ndihmon grupin hetimor në zbardhjen e krimit. Targa së bashku me makinën e djegur u gjetën rreth një orë pas ngjarjes në afërsi të Rrogozhinës.

Ndërkohë, gazeta “Si” mëson se Dorian Shkoza, njëri prej viktimave të atentati ishte pjesë e listës emërore të “Operacionit Forca e Ligjit” dhe pritej që në ditët në vazhdim zëdhënësja e OFL-së të shqiptonte emrin e tij për të justifikuar pasurinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë