Emergjenca koronavirus përveç se në Serie A, mund të ketë pasoja të rënda edhe në Champions League. Presidenti i Lyon, Jean Michel Aulas, ka folur për ndeshjen e kthimit të 1/8 kundër Juventus (në program në 17 mars) duke bërë një kërkesë ende jo zyrtare, por që është një paralajmërim për UEFA: “Fushë neutrale? Do të vendosë UEFA, por ka fakte të reja që prej ndeshjes së kaluar. Për shembull Juventus Under 23, që luan në Serie C, është vënë në karantinë e katër nga lojtarët e tyre janë stërvitur me ekipin e parë” ka thënë ai pas fitores së skuadrës së tij kundër Saint Etienne.

Numri 1 i klubit të stërvitur nga Rudi Garcia, i cili ishte përpjekur të mos pengonte udhëtimin e 3000 tifozëve bardhezinj në Lyon, ndihet nën presion sepse në qytet ditët e fundit ka pasur katër raste të sëmundjes. Kjo është arsyeja e ftesës për të luajtur në një fushë neutrale, një hipotezë që sigurisht nuk i pëlqen bardhezinjve, që duan mbështetjen e publikut për të përmbysur rezultatin 1-0: “Jemi të hapur për vendimet e UEFA– ka thënë Aulas- por në rastin më të keq nëse duhet të luajmë në një fushë neutrale, ne do ta bëjmë atë. Le të presim “.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




