Futboll

Beckham: Mundësi të shkëlqyera për të marrë Messin dhe Ronaldon

David Beckham tha se klubi i tij i ri, që garon në MLS, Inter Miami, ka mundësi të shkëlqyera për të nënshkruar me super yjet Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, si dhuratë e drejtuesve për sezonin e parë mes më të mirëve të Amerikës. Kapiteni i Barcelonës dhe sulmuesi i Juventusit janë përfolur së fundi për një kalim në SHBA, ku Beckham e sheh tashmë klubin e tij si destinacion të mundshëm të dyshes.

Ai këto pohime i bëri në emisionin ‘’The Tonight Show Starring Jimmy Fallon’’, duke i dhënë shpresë atyre, që do të donin t’i shihnin kampionët në një skuadër: “Epo ju e dini se çfarë ambiciesh kemi te Miami. Jemi kontaktuar nga shumë lojtarë të ndryshëm, rreth mundësisë që të bashkohen me ekipin tonë. Si çdo president klubi, edhe unë dëshiroj lojtarët më të mirë, dhe ne kemi mundësi për të sjellë futbollistë të tillë si Cristiano apo Leo. Sidoqoftë, për momentin kemi një skuadër fantastike, një miksim të mirë mes gardës së vjetër, por edhe lojtarëve të rinj. Një nga gjërat që kam mësuar nga Alex Ferguson është kjo: këdo që të afrosh, duhet të jetë në përshtatje me klubin. Nuk bëhet fjalë për emrin, ose personalitetin më të madh, por kush përshtatet me ekipin. Kjo është ajo që ne do të bëjmë.”.

Emrat më të përfolur për momentin që mund të transferohen te  Interi Miami, janë ato të David Silva të Manchester City, sulmuesit të PSG, Edinson Cavani, dhe mesfushorit të Real Madridit, Luka Modric.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë