Futboll

Si po e “vret” Koronavirusi futbollin italian

Bursa në kolaps, stadiumet e Serie A të mbyllura. “Efekti Coronavirus” godet tregjet botërore, dhe Italia, natyrisht, është ndër vendet më të prekura. Vetëm dy Rajonet vlejnë 550 miliardë të PBB-së (31% të asaj italiane) dhe vetëm nga këto rajone llogariten 40% e eksporteve të vendit.. Të hënën, Piazza Affari (bursa italiane) humbi 30 miliardë euro.

Por në këtë krizë edhe futbolli, ka “dhënë” kontributin e tij. Juventus ishte skuadra  kryesore, që shënoi një rënie dyshifrore, 11.83%. Pasi bëri publik raportin për gjysmën e parë të vitit 2020, ku pësoi humbje prej 50 milion, Juventus njoftoi mbylljen e muzeut të klubit dhe vendimin që ndeshja me Interin do të luhet sipas programit, por pa tifozë për shkak të frikës nga koronavirusi. Juventus po përpiqet të kursejë, sepse në ndryshim nga dhjetë klube të tjera të Serie A (përfshirë Udineze, që do të presë Fiorentinën të shtunën, dhe Sampdoria që do të përballet me Veronan të hënën) nuk parashikon asnjë lloj rimbursimi, as për të abonuarit dhe as për tifozët e thjeshtë, në rast të zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura. Një vendim shumë i diskutuar dhe që përfundoi në objektivin e antitrustit, i cili i konsideron këto dhe klauzola të tjera shqetësuese. Po flasim për shifra të mëdha: Juventus-Inter i fundit regjistroi 41.495 spektatorë, duke arkëtuar 3,163,509.00 euro. Ajo që do të mungojë është pjesa e të ardhurave nga aktivitete të tjera përveç stadiumit: hyrjet në muze, blerjet në dyqane, konsumimi  në bare dhe restorante. Në sezonin 2018-19, Juventus arkëtoi 74 milion nga stadiumi, nga të cilat rreth 21 milion nga aktivitetet jashtë ditës së ndeshjes.

MILAN-GENOA

Ndeshja në San Siro, është sfida tjetër e madhe e javës së 26 – të paktën përsa i përket të ardhurave të mundshme – “e mbyllur” nga dekreti i qeverisë. Ndeshja e fundit në shtëpi e kuqezinjve, më 17 shkurt (të hënën në mbrëmje) kundër Torinos, regjistroi 46.114 spektatorë, për një shifër prej 1,092,411.02 euro. Në ndeshjen me Genoa priteshin rreth pesëdhjetë mijë tifozë. Milan, nga ana tjetër ka deklaruar se kanë filluar procedurën e rimbursimit. Ashtu si Milan, Parma pritet të rimbursojë tifozët për ndeshjen kundër Spal, ndërsa Sassuolo (që do të luajë me dyer të mbyllura me Brescian) do të rimbursojë vetëm të abonuarit.

Vendimi për të luajtur me dyer të mbyllura, i marrë nga Figc dhe Liga e Serie A, për të mos komplikuar më tej kampionatin, pritet të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në numrin e spektatorëve, që ka regjistruar shifra rekord: 27,694, të dhënat e regjistruara pas javës së 24-të, kurrë kaq shumë për njëzet vjet. Më mirë sesa të mos luhet: shprehen ekspertët. “Megjithatë, me kusht që të jenë vetëm disa ndeshje, dhe vendimi të mos përsëritet”, saktësojnë ata. “Mbi të gjitha, ka ndodhur në të kaluarën edhe në Premier League.”

Po përballemi me një situatë madhore dhe për aq kohë sa luhet, garantojnë analistët, nuk ka ndonjë efekt të drejtpërdrejtë në ekonomi. Përkundrazi, në mjedisin e futbollit po perceptohet shqetësim për dëmtimin e figurës që mund të sjellë vendimi për mosrimbursimin e tifozëve , veçanërisht nëse do shkaktojë polemika. Shtyrja e ndeshjeve është shndërruar në një problem për Ligën Italiane të Futbollit, që kërkon t’i rikuperojë sa më parë të jetë e mundur. Gjithsesi drejtues të Ligës theksuan se të gjitha opsionet po studiohen dhe do të kërkohet edhe mendimi i klubeve, para se të finalizohet vendimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë