Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal, që vidhnin kasafortat e bizneseve në kryeqytet dhe disa qarqe të tjera.
Policia thotë se janë vënë në pranga 3 persona të dyshuar, konkretisht E. M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).
Siç njofton policia, arrestimi i tyre u bë pasi, po sot rreth orës 04:05 të mëngjesit, në “Rrugën e Kavajës”, në ambientet e Poliklinikës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur një kasafortë në të cilin ndodhej vlera monetare rreth 13 milionë lekë të vjetra.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar materialet: Një automjet Mercedes Benz, me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet, 1 DVR, një shumë parash, 1 kasafortë dhe 4 telefona celular.
Policia thotë se nga veprimet hetimore këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen si autorë të vjedhjes së një klinike mjekësore në Rrugën e Dibrës, më 20 janar të këtij vit, ku gjatë orëve të para të mëngjesit kanë vjedhur një shumë prej 413 000 lekësh dhe kanë tentuar të vjedhin edhe kasafortën e kësaj klinike.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh të kasafortave në biznese, në qytetin e Tiranës dhe në qarqe të tjera.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




