Lajme

Grabitën çiftin e të moshuarve në Dibër, arrestohen katër autorë

Policia e Dibrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në zonën e Maqellarës ku disa persona vodhën me dhunë sende me vlerë në një banesë.

Policia thotë se janë vënë në pranga 4 persona si autorë të dyshuar dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, bashkëpunëtorë në vjedhje.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. V., 23 vjeç, S. C., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç dhe Z. E., 25 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit K. B., 35 vjeç dhe A. G., 30 vjeç, bashkëpunëtorë në vjedhjen me dhunë.

Siç njofton policia, pas njoftimit të marrë se në fshatin Çernenë, Maqellarë, në orët e vona të datës 22 shkurt, disa persona kishin hyrë në banesën e shtetasit R. D. dhe nëpërmjet dhunës kishin marrë sende me vlerë, menjëherë ka ngritur grupin e punës  me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Policia ka gjetur disa prova materiale të vjedhura në banesën e shtetasit Rrahman Dulja, të fshehura në banesën e autorit të dyshuar S. C.

Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

Grabitja me dhunë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku siç ka treguar kryefamiljari Rrahman Dulja në banesën e tyre u futën me forcë 6 të rinj të maskuar.

Hajdutët i kanë kërkuar paratë çiftit dhe i kanë dhunuar pas rezistencës që ata kanë bërë. Burrin e kanë goditur në kokë, ndërsa gruas i kanë shkaktuar fraktura.

Kryefamiljari është shprehur se u kanë marrë një sasi parash dhe bizhuterish të fëmijëve që punojnë e jetojnë në emigracion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë