Operacioni Forca e Ligjit vijon me dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.
OFL u ka dërguar kërkesat për vërtetim pasurie Pajtim Serjanit dhe Orges Jahelezit.
Pajtim Serjani, banues në Tiranë, është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Pajtim Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafes, Julian Bregu në vitin 2014.
Por ai u lirua pasi përfundoi dënimin prej 3 vitesh, pasi bashkë me të tjerë, i bëri presion biznesmenit të kafesë, Julian Bregu të lëshonte një pjesë të aksioneve të tij.
Pajtim Serjani mbeti i plagosur më 5 janar 2015 në një lokal në Rrugën e Kavajës, pasi Arjanit Sterjo tentoi të vriste 4 persona, mes tyre edhe Pajtim Serjanin.
Në shtator 2017 policia i sekuestroi Serjanit katër makina të blinduara me vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara. Pajtim Serjani njihet edhe si mik i Emiljano Shullazit.
Ndërsa, Orges Jahelezi, banues në Tiranë, është i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim”.
Ai njihet si anëtar i grupit të Shijakut, i cili u arrestua pas zbulimit të laboratorit të drogës në Has. Grupi kriminal trafikonte kokainën në Gjermani dhe disa vende të Europës. Grupi i Shijakut drejtohej nga Astrit Avdyli, ndërsa në pranga në atë kohë u vunë edhe vëllezërit e tij dhe disa anëtarë të bandës.
Zëdhënësja tha se “këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së”.
Më tej, ajo tha se përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Ndër të tjera, zëdhënësja tha se “OFL vijon veprimet e pandërprera, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, duke kryer veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




