Lajme

Shtyhet më 18 shkurt seanca për Agim Kajmakun

Gjykata Penale e Tiranës e ka shtyrë seancën paraprake për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku më 18 shkurt.

Shkak për shtyrjen e seancës ka qenë mungesa e gjyqtares Vjollca Spahiu, për motive shëndetësore.

Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se kishte fshehur dënimin në Greqi. Prokuroria e akuzon kryebashkiakun për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Gjykata do të vendoste sot nëse çështja Kajmaku do të kalonte për gjykim, do të rrëzohej apo do të kthehej për hetime të mëtejshme.

Agim Kajmaku është ende në arrati. Akuza e fundit që rëndon ndaj tij ka lidhje me emërimin në detyrë të ish-drejtorit të kabinetit të tij, Gentian Picari, të cilin e emëroi zëvendëskryetar bashkie menjëherë, pasi KQZ e shkarkoi nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë