Lajme

Shuhet piktori dhe mjeshtri i ikonografisë, Josif Droboniku

Ndërroi jetë në Bari të Italisë piktori i njohur shqiptar dhe mjeshtri i mozaikut, Josif Droboniku. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë piktorja Mira Kucuku. Ai ishte bashkëautor edhe i mozaikut të madh në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa jep lajmin, ajo i dedikon edhe disa fjalë mjeshtrit të artit.

“…Pas një periudhe të shkurtër ku luftoi sa mundi me sëmundjen dhe duke mos u shkëputur asnjë çast nga puna dhe projektet e tij, nuk ia doli dot. Piktori dhe ikonografi i njohur në Itali krijoi linjën e vet të mozaikut monumental duke lënë gjurmë në mozaikun kishtar. Një nga autorët kryesorë të mozaikut në fasadën kryesore të muzeut historik filloi rruga e gjatë e artit  monumental deri në ditët e sotme, ku shumë projekte kanë ngelur në mes”, shkruan ndër të tjera ajo.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se me ndarjen e tij nga jeta, arti pamor humbi një prej mjeshtërve të saj.

“Arti pamor shqiptar humbi një prej mjeshtërve të saj. Piktori dhe realizuesi i mozaikëve, Josif Droboniku u nda nga jeta në një moshë, kur kishte shumë për t’i dhënë artit shqiptar. Përveç veprave, që do të mbeten të përjetshme në muret e shumë institucioneve tona, ai nuk arriti të përmbyllë misionin e tij madhor, të realizimit të mozaikëve në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Shenjtorët, të cilëve ai u dha jetë, sot, luten për të… Qofsh i paharruar, mjeshtër!”, shkruan ministrja Margariti.

https://www.facebook.com/MargaritiElva/photos/a.2273099812933618/2543568545886742/?type=3&theater

Kush ishte Josif Droboniku

Josif Droboniku u lind në Fier më 25 dhjetor 1952. Ndoqi liceun artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e Pikturës Monumentale. Mozaikët dhe afresket e tij i gjen në Muzeun Historik Kombëtar dhe Pallatet e Kulturës në Tiranë, Lushnje dhe Peshkopi.

Në Shqipëri Droboniku la pas një krijimtari tashmë të afirmuar në nivel kombëtar, pas kryerjes së studimeve fillimisht në Liceun Artistik të Tiranës dhe më tej studimeve të kryera në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Akademia e Arteve të Bukura). Ai ka punuar në zhanre të ndryshme të artit pamor duke filluar që nga filmi multiplikativ pranë Kinostudios dhe më tej kryesisht në fushën e pikturës dhe mozaikut monumental.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë