Lajme

Edhe Elvis Rroshi e Saimir Tahiri në shënjestrën e OFL? Lleshaj shpjegon pse aksioni nisi nga Shijaku

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se aksioni i ndërmarrë qysh prej fillimit të kësaj jave nga ana e njësisë speciale “Operacioni Forca e Ligjit” nuk është selektues dhe se subjekte të tij do të jenë edhe persona që deri pak vite më parë kanë qenë të veshur me pushtet.

I ftuar në emisionin “Open”, Lleshaj u pyet nga gazetarja Anila Hoxha nëse kërkesa për të plotësuar formularin justifikues të pasurisë do t’i shkonte edhe Elvis Rroshit, kryebashkiaku i Kavajës deri në vitin 2016, që u shkarkua pasi kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

“Po, letra për justifikimin e pasurisë do t’i shkojë çdo personi që është dënuar për trafikim, vrasje, terrorizëm e të tjerë”, u përgjigj ministri Lleshaj.

Elvis Rroshi është dënuar në Itali, ndërkohë që figuron me disa emra që është njohur në Gjermani dhe Zvicër. Opozita e ka akuzuar atëherë se ndaj Rroshit kishte edhe një vendim të drejtësisë zvicerane dhe asaj gjermane që lidhej me akuzën e trafikut të qënieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Nëse për Elvis Rroshin, ministri i Brendshëm foli disi më i bindur se do të jetë subjekt i OFL-së, për Saimir Tahirin, që është proceduar për trafik droge u tregua më i rezervuar.

“Nuk e kam bërë unë analizën e këtyre personave. Nëse janë të dënuar, apo të proceduar për trafik janë në këtë listë”, u shpreh ai.

Ministri i Brendshëm shpjegoi arsyet se përse aksioni ka nisur nga Shijaku. Ai tha shkak u bë ngjarja kriminale e pengmarrjes dhe më pas vrasjes së Jan Prengës, ndërsa nënkuptoi gjithashtu se numri i madh i resorteve në këtë zonë nxisin dyshimet se burimi i parave të përdorura për ndërtimin e tyre është aktiviteti kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë