Futboll

Ideja “e çmendur” e tifozëve të Liverpool: Titullin ta ngrejë Gerrard

Me 24 fitore në 25 ndeshje, Liverpool e ka fituar tashmë Premier League (18 pikë diferencë me City-n) dhe për të festuar më së miri një trofe që mungon që prej vitit 1990, tifozët e Reds kanë një ide të çmendur: Të federojnë Steven Gerrard për pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Po pse pikërisht vetëm pesë ndeshje? Sepse në këtë mënyrë Gerrard do të luante mjaftueshëm për t’u konsideruar pjesë e skuadrës dhe për këtë arsye mund të ngrinte trofeun në ndeshjen e fundit.

Fushata për t’i dhënë ish-kapitenit trofeun e vetëm që i mungon (me Liverpoolin ai ka fituar Champions League, Kupën UEFA, Superkupën e Evropës, FA Cup, Kupën e Ligës dhe Charity Shield) është bërë tashmë virale në rrjetet sociale, edhe për faktin se gabimi i bërë në ndeshjen ndaj Chelsea që i kushtoi titullit Reds në kohën kur ekipi drejtohej nga Brendan Rodgers është një plagë ende e hapur në mendjet e tifozëve (dhe sigurisht edhe në atë të trajnerit aktual të Rangers ).

Por, për t’u federuar te Liverpool, ‘Captain Fantastic’ do të duhej të linte detyrën e tij në Skoci. Mbetet të kuptohet se çfarë mendon Klopp, i cili ende nuk e ka shprehur mendimin e tij dhe mbi të gjitha kapiten Henderson, i cili me siguri do të preferonte të ishte ai që do të ngrinte trofeun e shumëpritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë