900 banorë të fshatrave Klos e Fan, falë kontributit të Forcave të Armatosura, prej ditës së sotme do ta kenë më të lehtë të shkojnë në shkolla, qendrat shëndetësore, apo për t’u lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë përmes Rrugës së Kombit.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve për urën “Bailey”, vlerësoi kontributin e FA dhe ekspertëve xhenio në komunitet.
“Dua të falënderoj efektivët tanë për punën e shkëlqyer që kanë bërë. ‘Me komunitetin, për komunitetin’ është moto e Forcave tona të Armatosura. Në 2 vitet e fundit, efektivët xhenio i kanë lehtësuar komunikimin 60 mijë banorëve nga jugu në veri të vendit, falë 16 urave “Bailey”, është shprehur ministrja Xhaçka.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, për ministren Xhaçka, vëmendja ndaj komunitetit, veçanërisht gjatë emergjencave civile është një ndër prioritetet kryesore të institucionit që ajo drejton.
“Përmes ligjit të ri “Për Mbrojtjen Civile”, do të ketë një koordinim më të mirë të të gjithë aktorëve për t’i ardhur në ndihmë komunitetit në rast fatkeqësish natyrore apo në problemet e infrastrukturës. Brenda pak javësh do të mbërrijnë mjetet dhe uniformat e reja për ekipet e kërkim shpëtimit, zjarrfikësit dhe ekipet tona të specializuara në emergjenca, si përgjigja më e mirë ndaj kërkesave të kohës”, tha ministrja gjatë inspektimit.
Ura “Bailey” që do t’u shërbejë banorëve të Fanit dhe Klosit ka një gjatësi prej 24 metrash dhe u bë e mundur falë bashkëpunimit të ekspertëve xhenio, të profilizuar më së miri në ndërtimin e urave të tilla, me bashkinë e Mirditës. Për vitin 2020, janë 36 milion lekë të reja, pjesë e buxhetit për mbrojtjen, që do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




