Vjosa Osmani ka refuzuar të dielën pasdite postin e kryetares së parlamentit edhe pse ajo më herët ishte shprehur se do të pranonte çdo pozicion që do ti vendoste partia.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre nuk ka pranuar të jetë kryeparlamentare pasi dëshiron të jetë ministre.
Më pas, sipas Top Channel, Osmani ka refuzuar ta marre këtë pozitë pasi partia i ka mohuar të drejtën që si nënkryetare e partisë të propozojë një emër për ministër, e drejt kjo që i ka takuar çdo nënkryetari të LDK-së.
Ajo mësohet se është përplasur me krerët e partisë rreth mënyrës se si kanë vendosur t’i ndajnë postet qeveritare. Osmani ka kërkuar pozitën e Ministres së Punëve të Brendshme dhe atë të Zëvendëskryeministres. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak se Isa Mustafa ia ka dhënë këtë post Agim Veliut.
Mediat në Kosovë shkruajnë se mbetet e paqartë se si do të reagojë nesër Vjosa Osmani apo nëse partia të mund të reflektojë dhe të ndryshojë vendimin e fundit për emërimet në pozitat qeveritare.
Ndërkohë, LDK në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka vendosur që Avullah Hoti do të jetë Zëvendëskryeministër.
Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes. Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë. Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre të Kulturës, derisa Lumir Abdixhiku për Ministër të Infrastrukturës.
Ndërkohë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.
Ndërkaq në një reagim në rrjetet sociale Vjosa Osmani tha se e mirëpret formimin e qeverisë së re.
Reagimi i plotë:
“Krijimi i institucioneve asnjëherë nuk ka qenë një punë e lehtë dhe një proces i thjeshtë. Kjo komplikohet edhe më tepër kur krijimi i institucioneve nënkupton edhe ndryshim të epokave. Që nga fillimi jam angazhuar pa asnjë interes personal për të bërë realitet koalicionin LDK-LVV, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ky ishte vullnet qytetar.
Ky ka qënë edhe obligim të cilin e kam marrë prej mbi 200 mijë votave që i mori LDK në zgjedhjet e fundit. Kjo ishte një porosi e qartë për mua dhe për partinë që të ndryshojmë vendin. Marrëveshja që është nënshkruar sot në mes të kryetarit Mustafa dhe kryetarit të LVV’së Kurti ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Ata ka muaj që po e pritnin një marrëveshje të tillë.
Ngjarjet që rrjedhin jo gjithmonë janë pikërisht sic i kemi paramenduar. Por, sido që të jetë, asnjë lindje nuk është e lehtë. Këtë e dimë më së miri ne që jemi nëna. Nuk është e lehtë as lindja e ndryshimit. Rrugës do të hasim në vështirësi, me të cilat duhet të merremi, kundër të cilave duhet të luftojmë. Sa më shumë që do të luftojmë ne aq më shumë do të hasim në rezistencë. Mirëpo rrugë tjetër nuk ka. Deri në fitore.
Qytetarët kërkuan dhe përcaktuan bashkimin tonë. Dhe si çdoherë, na treguan e trasuan rrugën e drejtë. 6 tetori, për mua, ishte dhe mbetet vullnet që nuk shkelet; me asnjë kusht e asnjë çmim. Shumë mund e përpjekje u bënë për të na ndalur e përcarë.
Por shumë më i madh ishte vullneti ynë për të jetësuar kërkesën për ndryshim. Dhe tani, ua kemi borxh qytetarëve, e të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga besimi në ne, që fjalën e dhënë ta jetësojmë deri në fund. Nesër do t’i themelojmë institucionet e reja. Do t’i marrim përgjegjësitë e reja. Nuk ka asgjë që na ndal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




