Lajme

Vrau gruan me thikë në Xhafzotaj, xhelozia dyshohet se qëndron pas krimit

Banesa e çiftit Lulzim dhe Manjola Cuko u zgjua e rrethuar me shiritat e verdhë të Policisë së Shtetit, që sinjalizonin një skenë krimi. Vila ende e papërfunduar e familjes me pesë anëtarë në zonën e Xhafzotajt në Durrës u trondit në mesnatë.

Lulzim Cuko, 45-vjeç, goditi disa herë me thikë bashkëshorten e tij, Manjol Cuko, 33 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, 33-vjeçarja ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshorti i saj pas krimit të kryer është larguar me shpejtësi nga banesa.

Paraprakisht dyshohet se në momentin e ngjarjes tre fëmijët e çiftit, që të gjithë të mitur, kanë qenë në gjumë në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të saj. Dyshimet e para, edhe sipas dëshmive të mbledhura nga fqinjët e çiftit sugjerojnë se krimi brenda familjes ka buruar nga xhelozia e 45-vjeçarit, që ishte emigrant sezonal në Greqi dhe kthehej hërë pas herë në shtëpi.

Sipas dëshmive të fqinjëve, familja e zhvendosur në Durrës disa vite më parë nga zona e Dibrës nuk kishte shfaqur më parë probleme, ndërkohë që me të ëmën që nuk e kanë më dhe babain të shpallur në kërkim, tragjedia bëhet më e madhe për 3 fëmijët e mitur të çiftit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë