Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ka shkuar sot në Durrës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit dhe mënyrën si po menaxhohen këto dëme.
“Ne donim të vinim këtu për t’u shprehur solidaritetin banorëve të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë të bashkuar, por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin kur kanë nevojë. Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet, por edhe përpjekjet që po bëhen për të rikuperuar dëmet”, është shprehur ambasadorja Yuri Kim.
Kim tha se shqiptarët janë miqtë e amerikanëve dhe vuri në dukje se pas tërmetit, SHBA ishte ndër vendet e para që u gjend pranë tyre me ndihma, forca ushtarake por edhe ekspertë për vlerësimin e dëmeve.
“Ju jeni miqtë e Amerikës, ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë. U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në kutitë e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojnë ndërsa përveç atyre që ndihmuan për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat ne sollëm edhe ekspertë”, tha ndër të tjera ambasadorja Yuri Kim.
Më herët, Yuri Kim zhvilloi një takim për rreth dy orë me kryeministrin Edi Rama, ku i ofroi mbështetje për Reformën në Drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




