Lehtësohet qëndrimi i pensionistëve të huaj në Shqipëri; nga ndryshimet e fundit ligjore përfitojnë edhe shqiptarët që marrin pension në një vend të huaj.
Qeveria ka vendosur të heqë taksat për të gjithë pensionistët e huaj që vijnë të jetojnë në Shqipëri me arsyetimin se kjo do të ndihmojë ekonominë e vendit.
Përmes një drafti të iniciuar nga Ministria e Diasporës, Këshilli i Ministrave ka çuar për votim në Kuvend heqjen e tatimit mbi të ardhurat nga pensionet për një sërë kategorish të shtetasve të huaj.
Për pensionistët e vendeve të BE-së që vijnë të jetojnë në Shqipëri tatimi mbi të ardhurat hiqet me marrjen e lejes së qëndrimit. Për pensionistët e vendeve të tjera jashtë BE-së, kjo lehtësi përfitohet me marrjen e nënshtetësisë shqiptare.
Referuar draft-ligjit, nga përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat përfitojnë edhe shtetasit me origjinë shqiptare që marrin pension nga një vend i huaj, por që jetojnë në Shqipëri duke përfshirë dhe emigrantët.
Ministria e Financave thotë se përveç italianëve, së fundmi ka interes të madh edhe nga vendet nordike për të jetuar në Shqipëri. Shumë të moshuar nga këto vende prej kohësh kanë nisur të blejnë prona në bregdetin shqiptar të joshur nga klima e mirë dhe kostoja e ulët e jetesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.