Lajme

Aksion në Vlorë/ I dënuari për vrasje hap zjarr ndaj RENEA-s, por plagoset në këmbë

Policia e Vlorës ka zhvilluar një operacion policor gjatë natës në bashkëpunim me Forcat Speciale Renea, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, për të kapur një person të shumëkërkuar.

Siç thuhet në njoftim, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, 47-vjeçari i kërkuar, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, ka hapur zjarr ndaj forcave të Policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Policia thotë se pas informacioneve të marra se ky person mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea dhe ato të Forcës së Posaçme Operacionale kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.

Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47-vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.

Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale, duke rrezikuar jetën e tyre.

Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.

Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

47-vjeçarin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.

Po ashtu ndaj tij në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë