Lajme

Ndryshimi i dëshmisë, shtyhet seanca gjyqësore ndaj Agim Kajmakut

Është shtyrë sot në gjykatë seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, pas ndryshimit të dëshmisë nga shefja e protokollit në Bashkinë Vorë.

Seanca e radhës do të mbahet më 27 janar, ora 10:00.

Ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është ende në arrati, mund të lirohet nga masa e sigurisë “Arrest me burg”. Një kallëzuese kundrejt tij ka ndryshuar dëshminë për falsifikimin e dokumenteve.

Vendimi do të jepet nga gjyqtari Kujtim Vraniçi, i njëjti që ka dhënë vendimin për të “arrest me burg”.

Agim Kajmaku akuzohet nga prokuroria për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Për Agim Kajmakun më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Kjo masë erdhi një ditë pasi prokuroria lëshoi urdhërarrestin për të.

Më 21 nëntor Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi të njëjtën masë sigurie për Kajmakun, i cili u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim në Greqi.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë