Lajme

Gripi, Manastirliu: Dërgojini fëmijët në qendra shëndetësore, jo vetëm në spital

Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, kanë bërë që fëmijët të përballen edhe me virusin e gripit.

Për t’ju ardhur në ndihmë prindërve, ministrja e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të drejtohen në qendrat shëndetësore pa patur nevojë të shkojnë në spital, pasi në qendrën shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut, qendrën nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendrën nr. 7 në Laprakë dhe së shpejti qendrën e Kombinatit ofrohet shërbimi i plotë për fëmijët edhe gjatë natës.

“Shërbimi do të jetë 24 orë në tri qendra shëndetësore në Tiranë, pa pasur nevojë që të shkohet në spital për urgjencat pediatrike që mund të trajtohen në qendrat shëndetësore, në kushte të mira dhe me profesionistë pediatër të kualifikuar”, është shprehur ministrja.

Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila është një prej qendrave që është kthyer në qendër 24-orëshe për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.

 “Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut,  qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”, është shprehur ministrja Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën nr. 10 në Tiranë.

Siç njofton Ministria, sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri, sikundër në të gjithë vendet europiane po qarkullon virusi i tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën. Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Situata është normale, e zakonshme dhe e pritshme për stinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë