Lajme

Rrëshen, vritet me snajper ish-pronari i një TV lokal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Rrëshenit, ku një shtetas ka mbetur i vrarë. Dyshohet se ai u vra me snajper.

Mësohet se viktimë ka mbetur Kastriot Reci, 47 vjeç, pronar i një TV lokal.

Ngjarja ka ndodhur pranë lokalit të tij. Viktima njihej si biznesmen në këtë zonë, ndërsa aktivitetin e kishte shtrirë dhe në Lezhë.

Reci ishte pronar i televizionit lokal në Lezhë, ‘Media Plus’.

Ndërkohë, nga këqyrja paraprake e viktimës është konstatuar se është qëlluar vetëm me një plumb.

Për shkak të precizionit të vrasjes, grupi hetimor dyshon se ekzekutimi është bërë nga vrasës profesionistë dhe se autori i ka ditur mirë lëvizjet e viktimës.

Kastriot Reçi, 47 vjeç u qëllua sapo doli nga lokali i tij në Rrëshen. Dyshohet se vrasja është bërë për hakmarrje dhe se ka lidhje me veprimtarinë kriminale të 47-vjeçarit dhe vëllait të tij Gaspër Reçi, i vrarë në prill të 2017-s në Itali.

Viktima dyshohet të jetë autor i ekzekutimit të 9 shtatorit të vitit 2016, ku mbeti i vrarë ish-drejtori i OSHEE-së, Sajmir Jaku. Por kjo akuzë nuk është provuar asnjëherë, ndërkohë që Reçi nuk është arrestuar.

Ky i fundit u vra teksa dilte nga lokali i tij në Rrëshen, ndërsa ishte i shoqëruar nga një shok. Po ashtu, dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut.

Për festën e Vitit të Ri, ai ka dhënë edhe një mesazh në rrjetet sociale gati paralajmërues për ngjarjen.

Në profilin e tij të ‘Facebook’ Reçi, teksa uronte miqtë për vitin e ri më datë 1 janar, u jepte atyre një këshillë, ndërsa flet për mashtrues dhe njerëz të pabesë.

“Miq, Gëzuar Vitin e Ri 2020!
Qëndroni sa më larg njerëzve të këqij, mashtrues dhe të pa besë”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10218767635573778&set=a.3651057526847&type=3&theater

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Lidhur me vrasjen e Kastriot Reçit ka reaguar edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, ndërsa thekson se 47-vjecari nuk rezulton të jetë pronar i asnjë televizioni apo subjekti tjetër.

“AMA në përgjigje të interesit publik, sqaron se shtetasi Kastriot Reçi nuk rezulton të jetë pronar i asnjë televizioni apo subjekti tjetër.

Kastriot Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018”, thuhet në deklaratën e AMA-s.

Në lidhje me ekzekutimin e Kastriot Reçit, në afërsi të lokalit të tij në Rrëshen, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për çdo informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vendndodhjen e autorit vë në dispozicion shumën 2 milionë lekë të rinj.

“Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm”, thotë policia.

Ndër të tjera, policia thotë se për zbardhjen e kësaj ngjarje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit.

“Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve”, njofton policia.

Ndërkohë, është bashkëpunuar me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, për të shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë