Shuhet në moshën 89-vjeçare shkrimtari disident, Mehmet Myftiu.
Mehmet Myftiu është shkrimtar i shquar disident, themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore. Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: të diktaturës naziste, që e dënoi me vdekje në kampin e internimit në Prishtinë dhe të diktaturës komuniste që e dënoi, i hoqi të drejtën e të shkruarit dhe e bëri cigareshitës.
Vitin e kaluar, në 2018, nën kujdesin e shkrimtares Besa Myftiu, vajza e Mehmetit, u botua dhe u përurua libri me poezi me titullin “Nuk i dua thinjat”.
Libri “Nuk i dua thinjat” përmbledh 21 poezi dhe ka 34 faqe, poezi të Mehmet Myftiut të cilat u nxorën nga pluhuri i harresës nga e bija e tij.
Kjo ishte një dhuratë për shkrimtarin në 88-vjetorin e lindjes.
Shkrimtari Mehmet Myftiu e lidh fatin me historinë e vendit të vet, që në moshën 12-vjeçare, në Lëvizjen Nacional Çlirimtare.
Por e bija rrëfen se ai vuajti internimin në dy kampe, atë nazist në Prishtinë, dhe në periudhën komuniste në Shqipëri, ku lindi edhe romani “Shkrimtari”, i pari roman disident, për të cilin regjimi e dënoi si reaksionar.
Romani i Myftiut, “Shkrimtari” (1964), botuar në version të plotë vetëm në vitin 1995, është një dëshmi e asaj çka u ndodhi disidentëve të viteve 1950, përfshirë edhe autorin vetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.