Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, për 18-vjeçarin, i cili u ndalua nga policia e Korçës si autor i dyshuar i vrasjes së pronarit të lokalit në fshatin Mborje.
Bëhet fjalë për të riun Devis Hoti, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Sipas organit të akuzës, 48-vjeçari Flamur Duçi ka tentuar të heqë bluzën, në momentin që kushëriri e ka qëlluar disa herë me thikë dhe i ka vënë flakën për ta djegur.
Po ashtu, në trupin e viktimës janë gjetur 8 dëmtime me thikë, ndërsa në dorë mbante një fije floku, që i është marrë për provë dhe pritet t’i bëhet testi i ADN-së, për të zbuluar autorin e vërtetë të krimit. Gjithashtu, viktima ka rezultuar me djegie të shumta në krah dhe trup, ndërsa në dyqan dhe rrugë ka pasur gjak, por mungon thika e bulmetit, me të cilën është kryer krimi.
Për 18-vjeçarin Devis Hoti, avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të lehtë duke sugjeruar arrestin në shtëpi ose me afat 30-ditor në burg, ndërkohë gjykata vendosi që i riu të lihet në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




