Lajme

Tërmeti, Ruçi letër homologëve për të kontribuar për rindërtimin

Pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor ku humbën jetën 51 persona dhe shumë banesa u shembën, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u ka drejtuar një letër kryetarëve të parlamenteve për të kontribuar për rindërtimin.
Ruçi u është drejtuar me një letër kryetarëve të parlamenteve të vendeve të BE, SHBA,vendeve të rajonit si dhe vendeve të tjera mike e partnere të Shqipërisë.
Kryeparlamentari Ruçi falënderon homologët mbi kontributet që kanë dhënë vendet e tyre dhe i informon mbi masat e qeverisë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve të strehimit dhe pasojave të tjera të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Mbështetja e ndihma që keni dhënë e po jepni në shpëtimin e jetëve njerëzore do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Me gjithë përpjekjet intensive të qeverisë, institucioneve, ekspertëve, sipërmarrjeve private, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të mbështetur edhe nga organizata, sipërmarrje dhe qeveri të mjaft vendeve mike, të cilët po tregojnë një solidaritet dhe humanizëm të pashoq, burimet dhe kapacitetet tona në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme. Prandaj ne po mobilizohemi për të fituar sa më shumë mbështetje ndërkombëtare për të rikuperuar sa më shpejt që të jetë e mundur pasojat e rënda të kësaj tragjedie. Duke ju shprehur mirënjohjen e thellë timen, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, do të vlerësoja shumë nëse do të ishte e mundur që ky kontribut të vazhdojë me burime financiare e burime të tjera edhe në fazën e ndërtimit të banesave për të prekurit nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar. Ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për ndihmën ndaj vendit tim në këtë kohë të vështirë. Këtë mbështetje nuk do ta harrojmë kurrë”, shkruan në letrën e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë