Lajme

Grupi i PS ka vendosur të votojë Olsian Çelën për kryeprokuror

Kuvendi voton sot për Kryeprokurorin e Përgjithshëm, me mandat 7-vjeçar mes 3 kandidaturave, të cilat janë Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj.
Ndërkohë mësohet se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të votojë kandidaturën e Olsian Çelës për Prokuror të Përgjithshëm.
Ai është renditur i pari sipas pikëzimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në bazë të aftësive profesionale, integritetit moral dhe aftësive organizative.
Lista pason me Arta Markun dhe në vendin e tretë ndodhet Fatjona Memçaj.
Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku qëndroi 2 vite në detyrë si drejtuese e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa tani kërkon edhe një mandat të plotë 7-vjeçar.
PS i duhen 84 vota për të zgjedhur ndërmjet këtyre tre emrave.
Olsian Çela u konfirmua nga vettingu më 23 korrik të këtij viti.
Ndërkohë, ligji parashikon se në rast se Kuvendi nuk plotëson numrin e nevojshëm të votave atëherë kandidati i renditur i pari në listën e KLP, në këtë rast Olsian Çela zgjidhet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë