Katër ditë pas tërmetit, në Tiranë është regjistruar viktima e parë e tij. Një 20-vjeçare, banore e zonës së ish-Kombinatit ka ndërruar jetë këtë të shtunë në Spitalin e Traumës.
20-vjeçarja Xhesika Biquku është goditur në kokë nga një tullë gjatë tërmetit të fuqishëm dhe ndodhej në gjendje kome që prej datës 26 nëntor. Babai i saj bëri thirrje të vazhdueshme publike që vajza e tij të dërgohej në Itali për mjekim më të specializuar.
Operacioni i kërkim-shpëtimit është mbyllur zyrtarisht në Durrës dhe Thumanë me bilancin tragjik të 51 të vdekurve dhe mbi 900 të tjerë të lënduarve, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë. Autoritetet thonë se nga kërkimet e orëve të fundit në rrënojat e hotelit “Mira Mare” në Durrës nuk u gjet asnjë trup i pajetë.
Autoritetet thonë se nga 45 personat e nxjerrë nga rrënojat, 3 janë zhvendosur për në spitalet jashtë Shqipërisë për të marrë një ndihmë më të specializuar, ndërsa saktësohet se në gjendje kritike për jetën është një vajzë.
Në operacionin e kërkim shpëtimit kanë marrë pjesë rreth 250 forca nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe SHBA.
Aktualisht është duke u punuar për të bërë saktësimet e plota të identiteteve të viktimave edhe përmes familjarëv të tyre dhe më pas do të dilet me një deklaratë zyrtare përfundimtare për personat që humbën jetën nga tragjedia e së martës.
Pas kërkimit mbylljes së operacionit të kërkim-shpëtimit nis faza e dytë që ka të bëjë me punën në terren me verifikimin e dëmeve dhe identifikimin e godinave që janë të pabanueshme. Fadromat e IKMT-së kanë prishur që ditën e premte të paktën 2 godina në Thumanë dhe 7 të tjera në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Ministri Bledi Çuçi tha se vendimi për prishjen e tyre është konsultuar me ekspertë të huaj.
Ndërkohë, të dhënat paraprake zyrtare flasin për rreth 1200 ndërtesa të dëmtuara, përfshirë këtu pallate dhe banesa. Por, këto shifra paraprake duket se janë të vetëpërmbajtura, nisur nga fakti që vetëm në zonën e Thumanës janë raportuar mbi 1 mijë ndërtesa të pabanueshme dhe nëse llogariten edhe dëmet në Durrës, Vorë, Tiranë, Shijak, Kavajë, Laç e deri në Lezhë shifra mund të rritet shumë më tepër.
Po sipas shifrave paraprake, numri i personave që janë jashtë banesave të tyre është mbi 5 mijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.