Lajme

Ministrja e Arsimit : Mësimi fillon pas vlerësimit të sigurisë në shkolla

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka përgënjeshtruar si të rremë një lajm të shpërndarë nëpër mediat sociale se mësimi në qarqet Tiranë dhe Durrës nuk do të fillojë para datës 9 dhjetor.

Ministrja ka reaguar duke deklaruar se mësimi në këto dy qarqe mbetet i pezulluar pa afat dhe se ende nuk ka një vendim zyrtar se kur mund të fillojë procesi i mësimdhënies. Ajo thotë se mësimi do të rifillojë vetëm pas verifikimit të sigurisë teknike të shkollave.

“Nxënës, prindër dhe mësues të dashur! Njoftimin zyrtar për rifillimin e mësimit do ta bëj pasi të mbyllim të gjithë analizat e vlerësimeve të infrastrukturave shkollore”, deklaron ministrja Besa Shahini.

https://www.facebook.com/shahinibesa/posts/2431034480486984

Reagimi i ministres u nxit pas shpërndarjes së një statusi nga një profil i rremë me emrin e saj në Facebook, ku hamendësohej se mësimi nuk do të fillojë para datës 9 dhjetor.

“MOS MERRNI në konsideratë LAJMET “FAKE” si kjo këtu! Njoftimet e mia i publikoj tek kjo faqe dhe ato pastaj përcillen edhe në kanalet e ndryshme mediatike”, saktëson Shahini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë